Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, është paraqitur në ambientet e SPAK, ku është njohur zyrtarisht me mbylljen e hetimeve të nisura ndaj tij. Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për çështjen ku Beci është marrë i pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike.
Sipas SPAK, Beci akuzohet së bashku me shtatë persona të tjerë për abuzime në tenderin “Zhvillimi strategjik i sektorit energjitik”, një projekt kërkimor me vlerë rreth 700 mijë euro, i zhvilluar në vitin 2019. Në këtë procedurë është marrë e pandehur edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, e cila është paraqitur më herët në SPAK dhe ka firmosur aktet e mbylljes së hetimeve.
Të pandehur në këtë dosje janë gjithashtu Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti. SPAK bën me dije se Benet Beci është hetuar në gjendje të lirë, ndërsa veprën penale dyshohet se e ka kryer në kohën kur ushtronte funksionin e titullarit të KESH-it, përpara se të zgjidhej kryebashkiak i Shkodrës.