Burri i njohur tashmë si “Heroi i Bondi”-t, i cili ndërhyri me guxim për të ndalur një nga autorët e sulmit të armatosur në plazhin Bondi në Australi, është shpërblyer me një çek simbolik me vlerë mbi 2.5 milionë dollarë australianë (rreth 1.65 milionë dollarë amerikanë). Shuma u mblodh përmes një fushate donacionesh online, si shenjë mirënjohjeje për aktin e tij heroik.
Ahmed Al Ahmed u kthye në simbol të trimërisë kur, pasi u fsheh pas makinave të parkuara, iu afrua nga pas njërit prej sulmuesve të armatosur, i rrëmbeu armën dhe e neutralizoi duke e rrëzuar në tokë. Gjatë përplasjes, ai u plagos nga të shtënat e një sulmuesi të dytë dhe aktualisht ndodhet nën kujdes mjekësor në spital, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Çeku iu dorëzua në shtratin e spitalit nga Zachery Dereniowski, influencues i rrjeteve sociale dhe bashkëorganizator i platformës GoFundMe. Fushata e bamirësisë mblodhi kontributet e mbi 43 mijë personave nga e gjithë bota, mes të cilëve edhe miliarderi Bill Ackman, i cili dhuroi afro 100 mijë dollarë australianë.
Në reagimin e tij publik, Ahmed shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e treguar dhe bëri thirrje për solidaritet njerëzor dhe mbrojtjen e jetës.
Ai është vizituar gjithashtu nga kryeministri australian dhe drejtues lokalë, të cilët e cilësuan veprimin e tij si një shembull të rrallë guximi dhe sakrifice.
Sulmi i ndodhur të dielën e kaluar në Bondi Beach la pas 15 viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa autoritetet australiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.