Një 32-vjeçare nga Okayama, Japoni, ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare pasi organizoi një ceremoni martese me partnerin e saj digjital, një chatbot i krijuar përmes ChatGPT dhe i quajtur Lune Klaus. Ceremonia u zhvillua si një martesë tradicionale, me të ftuar, betime dhe “dhëndrin” të përfaqësuar simbolikisht nga një smartphone.
Sipas Reuters, gruaja u lidh emocionalisht me chatbot-in pas një ndarjeje të vështirë sentimentale. Ajo deklaroi se Lune Klaus e dëgjonte gjithmonë, e kuptonte pa paragjykim dhe i ofronte mbështetje emocionale të vazhdueshme, diçka që, sipas saj, mungonte në marrëdhëniet reale. “Ai është i sjellshëm dhe gjithmonë më dëgjon. Për mua, kjo është dashuri e vërtetë,” u shpreh ajo.
Rasti ka ndezur debate të forta mbi varësinë nga inteligjenca artificiale dhe kufijtë mes marrëdhënieve njerëzore dhe teknologjisë. Megjithatë, 32-vjeçarja këmbëngul se nuk bëhet fjalë për arratisje nga realiteti, por për “një formë të re dashurie”, që pasqyron mënyrën se si teknologjia po riformëson lidhjet emocionale në shoqërinë moderne.