Këto pamje shqetësuese kanë mbërritur sot në redaksinë tonë, duke nxjerrë në pah një tjetër rast alarmues të moszbatimit të masave të sigurisë në punë. Në video shihet një punëtor ndërtimi në majë të një godine në ndërtim, i ekspozuar ndaj një rreziku ekstrem për jetën.
Punëtori shfaqet duke lëvizur mbi disa dërrasa të vendosura mbi skela, pa qenë i siguruar me litar mbrojtës dhe pa mbajtur kaskë në kokë, në kundërshtim të plotë me rregullat bazë të sigurisë në kantieret e ndërtimit. Një rrëshqitje e vogël apo humbje ekuilibri mund të kishte pasoja fatale.
Situata të tilla janë dëshmi e qartë e mungesës së kontrollit dhe zbatueshmërisë së masave të sigurisë, për të cilat përgjegjësia bie mbi drejtuesit e kantierit dhe subjektet ndërtuese. Respektimi i protokolleve të sigurisë nuk është formalitet, por detyrim ligjor që synon mbrojtjen e jetës së punëtorëve.
Fatkeqësisht raste të tilla vazhdojnë të përsëriten, duke treguar një neglizhencë të theksuar nga ana e përgjegjësve. Është fakt se Shqipëria vijon të regjistrojë një numër të lartë viktimash në vendin e punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, një realitet që lidhet drejtpërdrejt me moszbatimin e standardeve të sigurisë.
Autoritetet përkatëse kërkohet të rrisin kontrollet dhe të marrin masa konkrete, në mënyrë që siguria në punë të mos mbetet vetëm në letër, por të zbatohet realisht në çdo kantier.