Kryeministri Edi Rama ka pranuar se masat për ndalimin e TikTok në Shqipëri nuk kanë dhënë rezultatet e pritura në lidhje me dhunën në shkolla. Në një intervistë për Politico, Rama theksoi se ndalimi nuk ka zgjidhur plotësisht problemet e dhunës, megjithatë ka ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve me TikTok-un dhe në vendosjen e disa masave mbrojtëse që nuk ekzistonin më parë.
“Ka qenë efektiv në ndërtimin e marrëdhënieve me TikTok-un dhe në sjelljen e disa masave mbrojtëse që nuk ekzistonin,” u shpreh Rama.
Ai gjithashtu përjashtoi mundësinë që Shqipëria të aplikojë kufizime të përgjithshme të mediave sociale për të miturit, duke i quajtur ato joefektive:
“Këto janë budallallëqe. Kjo është diçka që Shqipëria nuk do ta marrë në konsideratë. Nuk funksionon.”
Vendimi për ndalimin e TikTok u mor në mars të vitit 2025, pas rreth një viti bisedimesh me platformën mbi abuzimin online. Ngjarja që shkaktoi reagim të menjëhershëm ishte goditja fatale me thikë e Martin Canit jashtë një shkolle në Tiranë, pas së cilës qeveria urdhëroi ofruesit e shërbimeve të internetit të bllokojnë aksesin në versionet e desktopit dhe aplikacionet e TikTok.
Megjithatë, ndalimi nuk mbylli rrjetin social dhe nuk solli një zgjidhje të qëndrueshme për dhunën në shkolla, e cila mbetet një problem aktual.