Prokuroria e Ekuadorit urdhëroi të enjten arrestimin e ish-komandantes së Policisë, gjenerales në pension Tannya Varela, si dhe të dy efektivëve të tjerë, të dyshuar për rrjedhje të informacionit të klasifikuar në një çështje të trafikut të drogës që përfshin mafien shqiptare. Sipas Prokurorisë, publikimi i një “raporti të rezervuar” ka dëmtuar hetimin e koduar “León de Troya”, i cili në vitin 2021 po hetonte aktivitetin e kësaj organizate kriminale në Ekuador.
Autoritetet ekuadoriane theksojnë se prej më shumë se dy dekadash kanë konstatuar një përfshirje gjithnjë në rritje të mafies shqiptare në trafikun e drogës në vend, në bashkëpunim me organizata të tjera transnacionale dhe grupe lokale. Sipas një raporti të qendrës studimore Insight Crime, emisarët e mafies shqiptare kanë luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjeve për furnizimin me kokainë mes furnitorëve kolumbianë dhe mafieve europiane, si dhe në shpërndarjen e ngarkesave drejt Europës përmes rrjeteve shqiptare.
Tannya Varela ishte emëruar komandante e Policisë në vitin 2021, gjatë qeverisjes së ish-presidentit Lenín Moreno, dhe u largua nga detyra një vit më pas. Në kuadër të të njëjtit hetim u arrestuan edhe koloneli José Luis Erazo, shef policie në qytetin bregdetar Manta, si dhe ish-kapiteni Rodney Rengel, i cili kishte qenë pjesë e ekipit hetimor të çështjes.