Mblidhet Këshilli i Mandateve, Braho në Kuvend, kërkohet arrestimi i Ballukut

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 19.12.2025, 10:57

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka nisur mbledhjen për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Në Kryesinë e Kuvendit ka mbërritur vetëm avokati i saj, Ardian Kalija, ndërsa Balluku nuk merr pjesë, duke qëndruar në ambientet e Kryeministrisë. SPAK përfaqësohet nga prokurori Dritan Prençi, kreu i ri i SPAK Klodian Braho dhe prokurorja Dorina Bejko, dhe mbledhja zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa debatet fokusohen mbi USB-në me prova, e cila është kyçur në kasafortën e protokollit si material sekret hetimor.

Sipas relacionit të dorëzuar nga SPAK, Balluku dyshohet për manipulim të 12 tenderëve me vlerë totale 1.2 miliardë euro, presion ndaj dëshmitarëve dhe rrezik për kryerjen e krimeve të tjera për shkak të personalitetit të saj. Mes tenderave nën hetim përmenden projekti i Tunelit të Llogarasë (190 milionë euro), 7 lotet e Unazës së Madhe (450 milionë euro), koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar (245 milionë euro), rruga Porto Romano-Durrës (12 milionë euro) dhe mirëmbajtja e akseve të veriut (440 mijë euro).

Rregullorja e Kuvendit nuk parashikon një afat të saktë për mbylljen e shqyrtimit, por nga përvoja e mëparshme, raporti përfundimtar pritet të hartohet brenda dy javësh dhe të votohet në seancën e parë. Ndërkohë, Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi ndalimin e lëvizjes jashtë shtetit për Ballukun, ndërsa pezullimi nga detyra mbetet i pezulluar derisa Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë ankimin e qeverisë për kompetencat e saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit