Altin Dumani ka përfunduar zyrtarisht mandatin e tij si drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa sot Klodian Braho merr zyrtarisht detyrën e kreut të SPAK. Pas tre vitesh në krye të institucionit, Dumani ka liruar zyrën e drejtuesit dhe është zhvendosur në një tjetër ambient brenda SPAK, duke vijuar punën si prokuror i thjeshtë.
Sipas burimeve, Dumani është sistemuar në zyrën që për gjashtë vite ishte përdorur nga vetë Klodian Braho, në të njëjtin korridor ku shërbejnë edhe prokurorë të tjerë të SPAK. Ai ka transferuar tashmë dosjet hetimore dhe do të ndjekë procedimet që ka hetuar edhe në fazën e gjykimit në gjykatë, ku zhvillohet përballja mes palëve.
Ndërkohë, ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te Klodian Braho pritet të zhvillohet ditën e hënë, në orën 10:00, në sallën e mbledhjeve të SPAK. Dumani, i cili pasoi Arben Krajën në drejtimin e institucionit, do të vijojë funksionin e prokurorit në SPAK deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati i tij 9-vjeçar.