Kali me këmbë të këputur endet rrugëve prej vitesh në Dhërmi, institucionet nuk reagojnë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 19.12.2025, 08:18

Një situatë e rëndë dhe thellësisht çnjerëzore vijon prej kohësh në Dhërmi, ndërsa institucionet përgjegjëse duket se kanë zgjedhur të mbyllin sytë. Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur denoncime të shumta për një kal, i cili prej vitesh endet rrugëve me këmbën e këputur, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pa asnjë ndihmë veterinare.

Pamjet janë tronditëse. Kafsha mezi qëndron në këmbë, lëviz me vështirësi ekstreme dhe është lënë në mëshirë të fatit, ndërsa shihet çdo ditë nga banorët dhe vizitorët e zonës. Pavarësisht raportimeve të përsëritura nga qytetarët dhe pushuesit, deri më sot nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga institucionet apo strukturat përkatëse për t’i ofruar ndihmën minimale mjekësore.

Si është e mundur që në vitin 2025, në një zonë turistike të promovuar si elitare si Dhërmiu, një kafshë të lihet të vuajë për vite me radhë pa asnjë reagim institucional?

Banorët shprehen të revoltuar dhe theksojnë se kali ndodhet në këtë gjendje prej një kohe shumë të gjatë, duke vuajtur çdo ditë para syve të të gjithëve. Sipas tyre në dijeni të rastit janë të gjitha institucionet por kanë zgjedhur ta lën kafshën në agoni, ky rast nuk përbën thjesht neglizhencë, por një turp publik dhe një dështim të plotë të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e kafshëve.

Ndërkohë që Dhërmiu promovohet si një destinacion turistik luksoz, realiteti në terren tregon një tjetër pamje: kafshë të braktisura, pa mbrojtje dhe pa asnjë ndihmë.

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për t’i dhënë fund vuajtjes së kafshës. Çdo minutë vonesë do të thotë më shumë dhimbje për kafshën e gjorë.

JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve kompetente dhe organizatave për mbrojtjen e kafshëve të ndërhyjnë URGJENTISHT, për të shpëtuar këtë kafshë të pafajshme nga vuajtja e vazhdueshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit