Konkurrenca gjobit grosistët, por anashkalon tregun e Allajbeut

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.12.2025, 21:59

Autoriteti i Konkurrencës ka ndëshkuar gjashtë kompani të grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në disa qarqe të vendit, por ka lënë jashtë hetimit tregun më të madh agro-ushqimor të Shqipërisë, atë të Tiranës, i administruar nga kompania EKMA në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu.

Sipas vendimit të Konkurrencës, kompanitë e ndëshkuara vepronin në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, ku në mënyrë të koordinuar vendosnin çmimet e blerjes së produkteve bujqësore nga fermerët. Hetimi zbuloi se produktet bliheshin shpesh edhe nën koston e prodhimit dhe më pas shiteshin deri në 115% më shtrenjtë, duke dëmtuar rëndë fermerët dhe tregun.

Megjithatë, në listën e kompanive të gjobitura mungojnë subjektet që administrojnë tregjet më të mëdha agro-ushqimore në vend, të përqendruara në Tiranë, Lushnje dhe Fier. Sipas ekspertëve, kjo mungesë ngre dyshime serioze për mënyrën se si është ushtruar kontrolli.

Kompania EKMA, që administron Tregun Agro-ushqimor të Tiranës, ishte gjobitur rreth 7 vite më parë nga Autoriteti i Konkurrencës me rreth 430 mijë euro për shkelje të ngjashme. Megjithatë, deri më tani përmbaruesit kanë arritur të arkëtojnë vetëm rreth 24 mijë euro. Pavarësisht historikut të abuzimeve, ky treg nuk u përfshi në hetimin e fundit.

Abuzimet në këtë treg, sipas mediave, lidhen me qira të larta, si dhe çmime të energjisë elektrike dhe ujit shumë herë më të larta se tarifat zyrtare të UK dhe OSHEE, duke rënduar ndjeshëm kostot për tregtarët dhe fermerët.

Ndaj gjashtë kompanive të ndëshkuara, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës për secilën prej tyre. Ndërkohë, përjashtimi i tregut monopol të Tiranës nga hetimi ka rikthyer debatet mbi barazinë para ligjit dhe rolin real të Konkurrencës në mbrojtjen e fermerëve dhe tregut vendas.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit