SPAK: Balluku rrezikon të kryejë krime të rënda për shkak të personalitetit që ka

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.12.2025, 18:21

Prokuroria e Posaçme (SPAK) i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke argumentuar se situata e saj penale është rënduar ndjeshëm dhe se ajo rrezikon të kryejë krime më të rënda për shkak të personalitetit të saj.

Ky vlerësim përbën thelbin e relacionit të përmbledhur që SPAK i ka dorëzuar Kuvendit, ku thuhet se, bazuar në provat e mbledhura përmes metodave speciale të hetimit, Balluku ka ushtruar presion ndaj vartësve të saj edhe pasi është marrë e pandehur dhe para se të pezullohej nga detyra.

Sipas prokurorisë, nga pozicioni i zv/kryeministres dhe ministres, Balluku “ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur në këtë procedim”, konkretisht ndaj shtetases M.K., vartëse e saj. SPAK thekson se kjo sjellje përbën rrezik real për përsëritje apo përshkallëzim të veprave penale, pikërisht për shkak të tipareve të personalitetit dhe mënyrës së ushtrimit të pushtetit.

Në relacion renditen 11 tendera për të cilët Balluku po hetohet. Përveç tenderit të Llogarasë me vlerë 190 milionë euro, për të cilin ajo është marrë e pandehur, dhe 7 loteve të Unazës së Madhe me vlerë rreth 450 milionë euro, për të cilat është person në hetim, SPAK dyshon se ajo ka përcaktuar fituesit edhe në tre tendera të tjerë: – Thumanë–Kashar, 245 milionë euro – Porto Romano–Durrës, 12 milionë euro – Mirëmbajtja e akseve të veriut, 440 mijë euro

Në dokumentin zyrtar, SPAK shprehet se Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurat e prokurimit publik të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, që nga faza përgatitore deri te vlerësimi i ofertave, me qëllim favorizimin e operatorëve ekonomikë fitues.

Prokuroria pretendon se veprimet janë kryer në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, Evis Berberi, duke krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për disa kompani ndërtimi, në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik.

SPAK thekson se pikërisht ndikimi institucional, sjellja ndaj vartësve dhe rreziku i ndërhyrjes në hetim janë arsyet pse arrestimi vlerësohet si masë e domosdoshme, duke nënvizuar se Balluku paraqet rrezik për kryerjen e krimeve më të rënda në vijim, nëse lihet e lirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit