Pas një viti pozitiv që kulmoi me kualifikimin e Shqipërisë në playoff-et e Botërorit 2026, vëmendja te Kuqezinjtë tani është përqendruar te sfidat vendimtare të muajit mars. Sulmuesi Myrto Uzuni shprehet optimist, duke theksuar se shanset për të siguruar një vend në fazën finale janë reale dhe të balancuara.
Sipas Uzunit, përballja me Poloninë nuk është e pakalueshme. “Polonia nuk është Anglia apo Gjermania. Shanset janë të barabarta dhe në fushë do të fitojë skuadra që gabon më pak”, u shpreh sulmuesi kuqezi.
Në rast se Shqipëria kalon Poloninë, rrugëtimi do të vijojë sërish në transfertë, përballë fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi. Uzuni nënvizon se një kualifikim në Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada do të përfaqësonte një moment historik.
“Do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për gjithë shqiptarët dhe për mua personalisht. Do të ishte suksesi më i madh i karrierës sime”, tha ai.
Në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Myrto Uzuni ka kontribuar deri tani me 1 gol dhe 1 asist, duke qenë një nga pikat kyçe të repartit ofensiv të Kombëtares.