Apeli i GJKKO-së ka vendosur të lërë në fuqi masën e ndalimit për daljen jashtë vendit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pas seancës së zhvilluar ditën e sotme. Lajmi u konfirmua për mediat nga avokati i saj, Ardian Kalia. Balluku, e cila tashmë është zyrtarisht e pandehur nga SPAK, përfaqësohet ligjërisht edhe nga avokatja Pamela Qirko, njëkohësisht motra e saj.
Sipas raportimeve në media, në lidhje me pjesën e vendimit që ka të bëjë me masën e pezullimit nga funksionet zyrtare, Apeli i GJKKO-së ka vendosur të pezullojë shqyrtimin e kësaj çështjeje deri në një vendimmarrje përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, SPAK i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për autorizimin e heqjes së imunitetit parlamentar, me synim arrestimin e Ballukut, e cila prej disa javësh ndodhet në statusin e të pandehurës.