Vrau Pjerin Xhuvanin për vota në vitin 2021, lirohet ish-efektivi i ‘RENEA’-s Arbër Paplekaj

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.12.2025, 15:17

Arbër Paplekaj, i dënuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 21 prill 2021 në qytetin e Elbasanit, vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare, është liruar nga burgu.

Gjykata e Durrësit shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Paplekaj dhe vendosi lirimin e tij me kusht, duke vlerësuar se ish-efektivi i RENEA-s ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit. Në kërkesën e tij, Paplekaj argumentoi gjithashtu se veprimi i kryer kishte qenë në kushtet e vetëmbrojtjes.

Fillimisht, më 22 korrik 2023, Gjykata e Elbasanit e dënoi Paplekajn me 22 vite burg për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese”. Megjithatë, me vendimin e 1 korrikut 2024, Gjykata e Apelit e ndryshoi kualifikimin juridik të veprës, duke e shpallur fajtor për “vrasje në kushtet e tronditjes psikike” dhe duke ulur dënimin në 7 vite burg.

Në të njëjtin vendim, Apeli shpalli të pafajshëm gjashtë efektivë të forcave “Shqiponja”: Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu, të cilët më parë ishin dënuar nga Gjykata e Elbasanit me 16 muaj shërbim prove. Po ashtu, u shpallën të pafajshëm edhe dy ish-zëvendësdrejtorë të Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, për të cilët ishte dhënë nga një vit shërbim prove për secilin.

Si u vra Pjerin Xhuvani

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, përkrahës i Partisë Socialiste, ndodhi më 21 prill 2021, katër ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Ngjarja erdhi pas një përplasjeje mes shtabeve elektorale në Elbasan.

Sipas të dhënave, struktura informale e ngritur nga Partia Demokratike për mbrojtjen e votës ndaloi automjetin e Mehmet Greçës, i cili dyshohej se kishte me vete para për blerje votash, si dhe lista zgjedhësish. Greça më pas thirri në ndihmë Pjerin Xhuvanin, i cili mbërriti në vendngjarje dhe humbi jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Kujtojmë se nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe të plagosur, Emiljani Prenga, Paulin Vuksani, dhëndri i Xhuvanit, Edjon Budani dhe efektivja e policisë Xhensila Sota. Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit