Numri 2 i policisë Tiranë në GJKKO, ndihmoi grupin kriminal të AKSHI-t

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 18.12.2025, 12:14

Nëndrejtori i Policisë Erion Ismaili mbërrin në GJKKO. Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca për verifikimin e masave të sigurisë ndaj të arrestuarve dhe personave nën hetim në dosjen e tenderave të AKSHI-t. Mes tyre është paraqitur edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, ndaj të cilit SPAK ka caktuar masën “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Në GJKKO janë pritur gjithashtu edhe Hava Delibashi, si dhe administratorë të disa kompanive të përfshira në hetim.

Me urdhër të SPAK, më 16 dhjetor, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën “arrest në shtëpi” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Po ashtu, në arrest shtëpie është lënë edhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, ndërsa biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë shpallur në kërkim, pasi ndaj tyre është caktuar masa “arrest me burg”. Sipas SPAK, dy biznesmenët dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të parregullt të paktën 12 tendera me vlerë miliona euro, përmes kompanisë “Soft and Solution”, me favorizim nga drejtuesit e AKSHI-t.

Hetimet zbulojnë se Agasi dhe Beqiri kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj konkurrentëve për t’i detyruar të tërhiqen nga ankimet e tenderave, duke përfshirë edhe raste të rënda si rrëmbimi dhe kanosja e biznesmenit Gerond Meçe. SPAK dyshon se zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, ka pasur dijeni dhe ka marrë pjesë në këto veprime, ndërsa biznesmenë të tjerë akuzohen për pastrim parash dhe përfshirje formale në tendera përmes faturave fiktive. Hetimet për këtë dosje vijojnë, ndërsa GJKKO pritet të vendosë për masat e sigurisë ndaj të gjithë të përfshirëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit