Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku është njohur zyrtarisht me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Pak ditë më parë SPAK zbuloi një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se vepronte brenda AKSHI-t, i përfshirë në skema të zhvatjes dhe manipulimit të tenderave publikë. Në kuadër të hetimit janë shpallur në kërkim biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët kanë arritur t’i shmangen aksionit të policisë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, dy biznesmenët, në bashkëpunim me zyrtarë shtetërorë, ushtronin presion, kërcënime dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera, duke i detyruar të tërhiqnin ankimimet për procedurat e prokurimit. Kjo skemë synonte të favorizonte kompani të paracaktuara, pasi shqyrtimi i ankesave mund të ndryshonte renditjen e fituesve.
“Në kuadër të veprimtarisë së grupit të strukturuar kriminal, të dyshuarit kanë konsumuar veprën penale ‘konkurrencë e paligjshme përmes dhunës’, duke penguar lirinë e konkurrencës dhe duke deformuar procedurat e tenderimit,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të kësaj skeme kriminale.