Në Apelin e Gjykatës së Posaçme po zhvillohet sot seanca gjyqësore për zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila ka kërkuar shfuqizimin e masave të sigurisë të vendosura më herët nga GJKKO. Balluku ka ankimuar konkretisht pezullimin nga detyra dhe masën e ndalimit për të dalë jashtë territorit të Shqipërisë, duke u paraqitur në seancë përmes dy avokatëve të saj mbrojtës.
Në të njëjtën seancë janë paraqitur edhe dy bashkëpunëtorë të saj, drejtori i KESH-it Erald Elezi dhe kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli. Të dy ndodhen aktualisht nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe janë shoqëruar në Gjykatë nga përfaqësuesit e tyre ligjorë, ndërsa shqyrtimi i ankimimeve po kryhet nga gjyqtarja Miliana Muça.
Sipas akuzave, ndaj Belinda Ballukut rëndojnë dyshime për shkelje të barazisë në tenderë, që lidhen me procedurat për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me një vlerë rreth 210 milionë euro, si dhe me 7 lotet e projektit të Unazës së Madhe, për të cilat janë prokuruar rreth 450 milionë euro. Vendimi i Apelit pritet të përcaktojë nëse masat e sigurisë do të mbeten në fuqi apo do të ndryshohen.