Sot në orën 11:00, Apeli i Posaçëm i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të shqyrtojë kërkesën e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe vartësve të saj për heqjen e dy masave të sigurisë: pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit. Kjo seancë zhvillohet në një kohë kur SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu në detyrë deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit për konfliktin e kompetencave mes GJKKO-së dhe Këshillit të Ministrave.
Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, përfshirë tenderin për Tunelin e Llogarasë me fond limit 190 milionë euro. SPAK ka nisur hetime edhe për të gjithë 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt me vlerë të prokuruar rreth 450 milionë euro, duke përfshirë të gjitha tenderët nën administrimin e saj.
Masat e sigurisë po ankohen edhe nga drejtues të tjerë të institucioneve të përfshira. Drejtori i KESH, Erald Elezi, ka kërkuar anulimin e arrestit shtëpiak për dy tenderë me vlerë 210 milionë euro, ndërsa kreu i ARRSH, Gentian Gjyli, ka kërkuar zbutjen e masës për Tunelin e Llogarasë, ku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera publike. Të dy kanë qenë pjesë e komisioneve që kanë menaxhuar tenderët nën hetim nga SPAK.