Në Urgjencën e spitalit të Shkodrës ka rënë bomba, të vetmet që ‘mbijetojnë’ batanijet!

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.12.2025, 10:07

Në një kohë që ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala e ka mendjen të bëjë konferenca, takime e vizita sa për propagandën e rrjeteve sociale, realiteti në spitale dhe urgjenca paraqitet krejtësisht ndryshe. Institucionet shëndetësore po përballen me vështirësi ekstreme dhe kushte që nuk përmbushin as standardet minimale për trajtimin e pacientëve.

Spitali Rajonal i Shkodrës, një nga institucionet më të rëndësishme shëndetësore në veri të vendit, ofron kushte që nuk i ngjajnë aspak një shteti që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Përkundrazi, pamja e urgjencës të kujton spitale në zona lufte në Lindjen e Mesme, apo një ambient të shkatërruar nga bombardimet, ku flaka ka përpirë gjithçka.

Siç shihet edhe në foton e mëposhtme, batanijet e përdorura për pacientët janë të djegura, të grisura dhe të arnuara, por megjithatë vazhdojnë të përdoren për të mbuluar të sëmurët. Një realitet i trishtë, që përpiqet të maskohet si shërbim shëndetësor, ndërkohë që në fakt është thjesht një “hi syve” për qytetarët.

Qytetarja që ka dërguar vajzën e saj të mitur në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës ka mbetur e tronditur nga kushtet çnjerëzore me të cilat është përballur. Kjo ndodh në një kohë kur kryeministri, në deklaratat e tij publike, jo vetëm që i barazon, por shpesh edhe i mbivlerëson spitalet dhe shëndetësinë shqiptare me ato të vendeve të Bashkimit Europian.

Duhet thënë se ndërsa fjalët e bukura dhe krahasimet me Europën mbushin podiumet, realiteti në spitale mbetet i dhimbshëm dhe i papranueshëm. Heshtja dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale përballë këtyre kushteve tregojnë qartë se shëndetësia nuk trajtohet si prioritet, por si dekor për fushata, duke lënë pacientët të përballen çdo ditë me neglizhencë dhe mungesë minimale kujdesi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit