Laguna e Nartës, një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura në vend, po përballet me një fenomen shqetësues, gjuetia e paligjshme në terren po zhvillohet hapur, ndërsa kontrolli i autoriteteve nuk ekziston. Zona, e njohur për biodiversitetin e saj dhe si strehë jetike për shpendët shtegtarë, po humbet gradualisht funksionin e saj si ambient i sigurt për faunën.
Në terren gjenden fishekë të shpërndarë, kasolle të improvizuara për pritë dhe pajisje që imitojnë zërat e shpendëve, të cilat përdoren për t’i tërhequr ata. Këto tregojnë se gjuetia zhvillohet në mënyrë të organizuar dhe të vazhdueshme.
Sipas raportimeve për JOQ Albania nga banorë të zonës, gjatë natës dëgjohen shpesh të shtëna armësh, duke krijuar frikë dhe shqetësim jo vetëm për shpendët, por edhe për komunitetin. Ky aktivitet dëmton ekosistemin dhe pengon funksionimin e lagunës si strehë e sigurt për shpendët e mbrojtur.
Edhe pse Laguna e Nartës administrohet nga strukturat shtetërore përgjegjëse për Zonat e Mbrojtura, mungesa e kontrolleve të rregullta ka krijuar një klimë pandëshkueshmërie. Patrullimet dhe reagimi i vonuar lejojnë që shkeljet të ndodhin në çdo orë të ditës.
Pasojat e këtij fenomeni janë të dukshme jo vetëm për natyrën, por edhe për reputacionin e një zone që duhet të ishte shembull i mbrojtjes së natyrës. Një reagim i menjëhershëm është i domosdoshëm: shtim i kontrolleve në terren, prani e vazhdueshme e strukturave ligjzbatuese dhe ndëshkim i çdo shkelësi të ligjit.