“Makarona me 30 lekë në qendër të Londrës! Ku mund t’i gjej në Shqipëri me këtë çmim?!”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 17.12.2025, 20:02

Një emigrant shqiptar në Angli i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një video domethënëse, ku tregon çmimet e makaronave në një supermarket në qendër të Londrës. Në pamje shihet qartë se një pako makarona mund të blihet për vetëm 28 pence, çmim që për shumë shqiptarë duket thuajse i paimagjinueshëm.

Nëse i konvertojmë në monedhën shqiptare, 28 pence janë afërsisht 30 lekë. Një çmim me të cilin në Shqipëri është pothuajse e pamundur të gjesh makarona, pasi pakot variojnë nga rreth 50 deri në 90 lekë. Por problemi nuk qëndron thjesht te shifrat në etiketë. Thelbi është raporti mes çmimeve dhe pagave.

Në Shqipëri, ende sot ka qytetarë që jetojnë me më pak se 40 mijë lekë të rinj në muaj, ndërsa pensionistë të shumtë mezi sigurojnë paratë për ilaçe, jo më për një jetesë dinjitoze. Në këto kushte, edhe një pako makarona kthehet në shpenzim që llogaritet dy herë. Ndërkohë, në Angli paga mesatare shkon rreth 2500 paund, ndërsa paga minimale është rreth 1600 paund, duke e bërë ushqimin bazë lehtësisht të përballueshëm.

Ironia është e hidhur: një vend si Britania, me paga shumë herë më të larta, ofron produkte bazike me çmime minimale, ndërsa në Shqipëri, me pagë minimale rreth 400 euro (teorikisht), ushqimi bëhet barrë.

Në videon që ai ka dërguar, qytetari shprehet:

“Jam në një supermarket në qendër të Londrës dhe shikoni pak çmimet e makaronave. 28 cent, 41 cent, 500 gram secila pako. Më thoni pak se ku mund të gjej në Shqipëri makarona me këto çmime. Nuk mendoj që ka. Dhe thonë pastaj pse shqiptarët ikin, pse janë të mërzitur.”

Ndërsa në mesazhin shoqërues, ai thekson se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë shumë të larta në raport me pagat, një realitet që e përjetojnë çdo ditë mijëra familje shqiptare.

Kjo video nuk është thjesht një krahasim çmimesh. Është një klithmë për realitetin ekonomik, për jetesën e shtrenjtë, për pagat e ulëta dhe për arsyet pse gjithnjë e më shumë shqiptarë ndihen të detyruar të largohen nga vendi. Sepse kur ushqimi bazë bëhet luks, ikja nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit