Gjermania hapi të mërkurën qendrën e saj të parë të përbashkët për mbrojtjen nga dronët, një strukturë e re që bashkon kapacitetet federale dhe ato të landeve, me synim përforcimin e sigurisë dhe përballjen më efikase me kërcënimet në rritje të spiunazhit dhe sabotazhit.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, gjatë një vizite në qendrën e re të vendosur në Berlin. Sipas tij, autoritetet federale dhe shtetërore do të punojnë ngushtë së bashku, duke bashkuar ekspertizën dhe duke ndarë në kohë reale informacion mbi situatën e sigurisë.
“Ky bashkëpunim do të rrisë ndjeshëm shpejtësinë dhe saktësinë tonë në përballjen me kërcënimet hibride, aktet e sabotazhit dhe provokimet e synuara,” u shpreh Dobrindt.
Krijimi i qendrës vjen në një kohë kur në disa vende evropiane janë raportuar raste të shpeshta të dronëve të dyshuar, të cilët besohet se operohen nga Rusia. Këto incidente kanë shkaktuar shqetësime serioze për sigurinë ajrore, deri në atë pikë sa disa shtete kanë aktivizuar avionë të NATO-s për të garantuar mbrojtjen e hapësirës ajrore. Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar çdo përfshirje, duke deklaruar se nuk ka arsye për të fajësuar Rusinë.
Para krijimit të kësaj qendre, zbulimi i dronëve dhe masat kundër tyre në Gjermani ishin të shpërndara mes institucioneve të ndryshme, çka e bënte reagimin më të ngadaltë dhe më pak të koordinuar.
Qendra e re, e quajtur GDAZ, funksionon 24 orë në ditë dhe përfshin bashkëpunimin e policisë federale, policive të landeve dhe Forcave të Armatosura gjermane. Qëllimi është një reagim i shpejtë, i koordinuar dhe efektiv ndaj çdo kërcënimi që lidhet me përdorimin e dronëve.
Megjithatë, autoritetet sqarojnë se, pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë, kompetencat vendimmarrëse të secilit institucion pjesëmarrës mbeten të pandryshuara.
Me këtë hap, Gjermania synon të forcojë ndjeshëm arkitekturën e saj të sigurisë dhe të përshtatet me sfidat e reja që paraqet përdorimi gjithnjë e më i gjerë i dronëve në kontekste të rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe rajonale