Sikur të mos mjaftonin rezultatet zhgënjyese dhe pozicioni i parafundit në renditje, Flamurtari po përballet edhe me probleme serioze disiplinore brenda skuadrës.
Idriz Batha nuk është më pjesë e ekipit vlonjat. Klubi njoftoi përmes rrjeteve sociale se ka ndërprerë bashkëpunimin me mesfushorin, si pasojë e një ngjarjeje të paprecedentë të ndodhur gjatë stërvitjes.
Kuqezinjtë e Vlorës ndodhen në një moment mjaft të vështirë, në prag të ndeshjes së radhës ndaj Teutës, teksa mbajnë vendin e parafundit në klasifikim. Ndërkohë, Batha pritet të kërkojë një skuadër të re.
Flamurtari bëri të ditur se vendimi për largimin e menjëhershëm të Bathës erdhi pas një incidenti të rëndë në seancën stërvitore të ditës së sotme. Sipas asaj që raportohet në media, mesfushori u përfshi fillimisht në një debat verbal me Kristian Nunjez, i cili më pas degjeneroi në konflikt fizik.
Pas këtij episodi, klubi vendosi t’i japë fund bashkëpunimit me futbollistin shqiptar, i cili prej gjashtë ndeshjesh kishte qëndruar në stol pa aktivizim. Batha sapo ishte rikthyer nga një dëmtim i gjatë, që e kishte mbajtur jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme.
Skuadra e drejtuar nga Françesko Moriero po kalon një fazë delikate të sezonit. Pas 16 javësh kampionat, Flamurtari renditet në vendin e parafundit dhe përgatitet për përballjen e radhës ndaj Teutës, një sfidë jetike për vazhdimësinë.