Autoritetet spanjolle i kanë kthyer përgjigje palës shqiptare, duke bërë me dije se Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri nuk rezultojnë me precedentë penalë në Spanjë. Sipas informacioneve zyrtare, gjatë katër ditëve që qëndruan në Barcelonë, ata u regjistruan si turistë dhe autoritetet lokale nuk disponojnë të dhëna apo prova që lëvizjet e tyre të jenë ndjekur ose vëzhguar nga persona të tjerë.
Dyshimet e hetuesve janë se organizimi i atentatit ka nisur në momentin kur Dani dhe Sheqeri u nisën nga aeroporti i Rinasit drejt Barcelonës, më 7 nëntor. Sipas kësaj piste, autorët kanë qenë në dijeni të udhëtimit të tyre dhe kanë pritur vetëm kthimin në Shqipëri.
Hetimet vijojnë, ndërsa policia ka identifikuar disa persona të dyshuar, por deri më tani mungojnë prova konkrete që mund të çojnë në zbardhjen e autorëve. Gjatë hetimeve janë shoqëruar dhe marrë në pyetje dhjetëra persona, por pa u siguruar ende ndonjë informacion vendimtar.
Atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta të vendit, në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas. Rreth orës 14:15 të datës 11 nëntor, për shkak të një rastësie ose jo, në zonë nuk ndodhej asnjë patrullë policie, ndonëse zakonisht ka prani të shtuar të forcave të rendit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur nga Barcelona, pas një qëndrimi katërditor. Në pamjet filmike të publikuara nga atentati, duken qartë lëvizjet e autorëve. Sapo ata marrin informacion se automjeti ku udhëtonin Dani dhe Sheqeri ka dalë nga parkimi i aeroportit, mjeti i atentatorëve zhvendoset në anën tjetër të rrethrrotullimit dhe pozicionohet në pritje për disa sekonda.
Në momentin që automjeti tip “Benz” afrohet, tre persona të maskuar dalin nga makina dhe hapin zjarr me breshëri kallashnikovi. Pas ndalimit të mjetit ku ndodhej Dani, dy prej autorëve hipin në automjet, ndërsa një tjetër i afrohet për t’u siguruar se objektivi ka ndërruar jetë, ku qëllon në xhamin e pasagjerit ku ndodhej Gilmando Dani.
Automjeti “Toyota” i përdorur nga autorët kishte targa greke, të cilat rezultuan të vjedhura në Greqi rreth një vit më parë. Ende nuk është konfirmuar nëse makina ishte e vjedhur, pasi ajo u dogj plotësisht, duke dëmtuar edhe numrin e shasisë.
Brenda mjetit të djegur u gjetën tre armë kallashnikov dhe një pistoletë. Pavarësisht këtyre provave materiale, hetimet vazhdojnë dhe deri tani nuk ka një pistë të qartë mbi motivin dhe autorët e atentatit.