Afera e inceneratorëve, a po bëhet gati nga SPAK arrestimi i Ëngjëll Agaçit?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 17.12.2025, 15:49

Pas goditjeve ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe biznesmenit Ergys Agasi, kryeministri Edi Rama duket se po përballet me një tjetër tronditje të rëndë nga Prokuroria e Posaçme. Hetimi shumëvjeçar i aferës së inceneratorëve po afrohet gjithnjë e më shumë pranë rrethit të ngushtë të kreut të qeverisë.

Në fokus të SPAK pritet të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, i konsideruar si një nga figurat kyçe dhe “eminenca gri” e pushtetit ekzekutiv. Ai mund të jetë emri i radhës që përballet me drejtësinë në kuadër të aferës së njohur si “Djegësat”.

Hetimi ka nisur rreth pesë vite më parë dhe deri tani ka çuar në arrestimin dhe dënimin e ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetit socialist Alqi Bllako, si edhe disa zyrtarëve të tjerë dhe biznesmenëve. Megjithatë, provat e mbledhura ndër vite kanë forcuar dyshimet se afera me vlerë rreth 430 milionë euro është ideuar dhe zbatuar nga nivelet më të larta të pushtetit, duke përfshirë Edi Ramën, Belinda Ballukun, Erion Veliajn dhe Ëngjëll Agaçin, me përfitues kryesor Klodian Zoton.

Zanafilla e aferës lidhet me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit, që më pas u shtri edhe në Fier e Tiranë. Dokumentet dhe dëshmitë nën betim tregojnë se procedurat janë ndjekur në kundërshtim me ligjin, duke favorizuar një kompani pa eksperiencë dhe kapacitete financiare.

Në shtator 2014, Ministria e Mjedisit, nën drejtimin e Lefter Kokës, nisi një procedurë koncesionare me negocim pa shpallje, e kundërshtuar nga Agjencia e Prokurimit Publik si e paligjshme. Pavarësisht këtij qëndrimi, më 17 dhjetor 2014 Këshilli i Ministrave miratoi financimin e projektit.

Në dëshminë e tij, Ëngjëll Agaçi ka pretenduar se vendimi nuk bazohej në procedurën e propozuar nga Koka, por në një procedurë tjetër, e cila nuk është shoqëruar me asnjë dokumentacion apo komunikim zyrtar paraprak. Kjo ka ngritur dyshime serioze, pasi po atë ditë Lefter Koka dorëzoi të gjithë dokumentacionin që parashikonte pikërisht procedurën e “negocimit pa shpallje”.

Dyshimet më të forta janë se Këshilli i Ministrave ka miratuar në thelb projektin e propozuar nga Lefter Koka dhe ka ndryshuar formalisht procedurën vetëm në tekstin përfundimtar të vendimit, në përpjekje për t’i dhënë një mbulesë ligjore një procesi tërësisht të paligjshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit