Berisha: Takimin në Elbasan Salianjit ia organizoi Suel Çela

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 17.12.2025, 14:24

Pas takimit të zhvilluar një ditë më parë në Elbasan, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi përjashtimin nga partia të ish-deputetit Ervin Salianji. Gjatë një konference për shtyp, Berisha deklaroi se Salianji ka bashkëpunuar me Suel Çelën, drejtues i një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Elbasan, për organizimin e këtij takimi.

Sipas Berishës, bashkëpunimi me krimin përbën një “vijë të kuqe” të panegociueshme, të cilën ai theksoi se nuk e ka shkelur as në momentet më të vështira të karrierës së tij politike. Ai nënvizoi se çdo përfaqësues i Partisë Demokratike që e tejkalon këtë kufi duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.

“Në të gjithë jetën time politike, edhe në periudhat më të vështira, nuk kam bërë dhe nuk do të bëj kurrë kompromis me krimin. Kjo ka qenë dhe mbetet zgjedhja më e drejtë, pavarësisht kostove. Vija e kuqe që ndan Partinë Demokratike nga bashkëpunimi me krimin është e qartë dhe e pakalueshme. Fakti që një anëtar i kooptuar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar organizon një takim në bashkëpunim me një person të cilësuar si kriminel i rrezikshëm është absolutisht i papranueshëm dhe nuk mund të tolerohet,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se ekzistojnë informacione të besueshme sipas të cilave Suel Çela ka qenë organizatori kryesor i takimit në Elbasan, duke theksuar se kushdo që ndërmerr veprime të tilla ka tejkaluar vijën e kuqe dhe mban përgjegjësi të plotë. Berisha gjithashtu përgëzoi drejtuesit e degës së PD-së në Elbasan, të cilët bojkotuan takimin e Salianjit.

Akuzat ndaj Salianjit u ngritën fillimisht gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së PD-së, të zhvilluar disa ditë më parë, ku Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Flamur Noka, e akuzoi atë për bashkëpunim me Suel Çelën jo vetëm për organizimin e takimit, por edhe për tentativë manipulimi të pjesëmarrësve me qëllim bojkotimin e tubimeve të Berishës. Më pas, në një dalje televizive mbrëmjen e djeshme, Noka deklaroi se Salianji është praktikisht i vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike pas zhvillimit të këtij takimi.

Ervin Salianji ka dalë hapur kundër linjës zyrtare të partisë që prej nisjes së protestave të përjavshme të PD-së, të mbajtura çdo të hënë para Kryeministrisë. Nga ana e tij, Salianji ka pohuar se takimet që ai ka zhvilluar nuk kanë pasur qëllime personale, por synojnë interesin e Partisë Demokratike, e cila, sipas tij, ka nevojë për një riorganizim dhe rikonstrukturim të thellë.

Ndërkohë, sot në orën 17:00 pritet të mbahet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e para pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit