Shaban Shima, 36 vjeç, u arrestua një ditë më parë në Itali si kreu i një karteli shqipfolës për trafikun e drogës, i cili operonte kryesisht në Foggia dhe zona të tjera të vendit. Hetuesit zbuluan se Shima kishte lidhje të ngushta me klanet lokale, përfshirë Trisciuoglio-Tolonese, dhe bashkëpunonte me tregtarë në Parma dhe qytete të tjera për shpërndarjen e kokainës dhe kanabisit, me volume deri në 10 kilogramë për transaksion dhe fitime mujore deri në 200,000 euro.
Operacioni, i drejtuar nga DDA e Barit, çoi në arrestimin e 24 personave dhe hetimin e gjithsej 35 individëve, përfshirë shtetas shqiptarë, italianë, gjeorgjianë dhe rumunë. Hetuesit zbuluan përdorimin e makinave me ndarje të fshehta, kanale të koduara komunikimi dhe metoda të sofistikuara transferimi parash drejt Shqipërisë. Gjithashtu u sekuestruan sasi të konsiderueshme droge dhe para të gatshme, duke përfshirë 2 kilogramë kokainë me pastërti 96% nga Bolivia.
Sipas bisedave të përgjuara nga karabinierët, Shima ishte “forca lëvizëse” pas rrjetit të drogës, duke përdorur depo, ambiente paketimi dhe sisteme të rregullta kontabël për të menaxhuar furnizimet dhe të ardhurat. Autoritetet italiane theksojnë se arrestimi i tij dhe bastisjet e mëtejshme janë një goditje e rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës dhe lidhjeve mes klaneve shqiptare dhe italiane.