Në vitin 2024, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë shumë pranë mesatares së Bashkimit Evropian, duke pozicionuar vendin në një zonë të ndërmjetme mes tregut europian dhe fqinjëve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave krahasuese, ku mesatarja e BE-së vendoset në nivelin 100, Shqipëria regjistron një indeks prej 98.7, vetëm 1.3 për qind më poshtë se mesatarja europiane. Ky rezultat e vendos vendin dukshëm mbi fqinjët rajonalë jo-anëtarë të Unionit, ndërkohë që mbetet më i ulët se çmimet në disa ekonomi të mëdha evropiane.
Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria shfaq çmime më të larta të ushqimeve. Serbia regjistron një indeks prej 95.7, Mali i Zi 82.6, Bosnje e Hercegovina 82.5, ndërsa Maqedonia e Veriut ka një nivel shumë më të ulët, 73.0. Edhe Turqia paraqitet më lirë, me një indeks 75.7.
Nga ana tjetër, Shqipëria afrohet me disa vende anëtare të BE-së në rajon. Sllovenia ka një indeks prej 99.3, Kroacia e ka kaluar mesataren europiane me 100.5, ndërsa Greqia dhe Italia shfaqin çmime më të larta, me përkatësisht 105.1 dhe 104.0. Megjithatë, diferenca me Shqipërinë mbetet relativisht e ngushtë krahasuar me hendekun e madh të të ardhurave mes këtyre vendeve.
Analistët theksojnë se ky pozicionim tregon një konvergjencë të shpejtë të çmimeve të ushqimeve me Bashkimin Evropian, më të shpejtë se afrimi i të ardhurave. Për pasojë, edhe pse çmimet statistikorisht janë pak nën mesataren e BE-së, pesha reale e ushqimeve në buxhetin familjar mbetet më e rëndë se në shumicën e vendeve të Unionit.
Në raport me rajonin, Shqipëria renditet ndër vendet me koston më të lartë të ushqimit, duke reflektuar jo vetëm presione inflacioniste, por edhe struktura tregu dhe zinxhirë furnizimi që nuk ofrojnë avantazhe të krahasueshme me fqinjët.
Ekspertët theksojnë se sfida kryesore për ekonominë shqiptare nuk është vetëm niveli absolut i çmimeve, por raporti i tyre me fuqinë blerëse. Ndërsa vendi afrohet me standardet e BE-së, hendeku i të ardhurave mbetet i gjerë, duke bërë që kostoja e ushqimit të jetë një nga faktorët kryesorë të presionit mbi mirëqenien e familjeve shqiptare.