Më shumë se një në tre familje shqiptare kanë të paktën një anëtar emigrant, duke e kthyer emigracionin në një realitet të përditshëm për mijëra familje në vend.
Sipas Anketës së Migracionit 2024, 37% e familjeve raportojnë ose një anëtar që ndodhet aktualisht jashtë Shqipërisë, ose një të afërm që ka jetuar jashtë dhe është kthyer. Në 5% të rasteve, familjet kanë më shumë se një migrant, çka tregon se largimi është një proces i përsëritur dhe jo episodik.
Migrimi shfaq dallime të theksuara rajonale. Prefektura e Beratit rezulton më e prekura, me rreth 69% të familjeve që kanë përjetuar emigrimin e një anëtari. Edhe në Vlorë dhe Lezhë, një në dy familje raporton migrantë në familje. Ndërkohë, Lezha kryeson për familjet me anëtarë aktualisht jashtë vendit, ndërsa Berati dhe Vlora kanë më shumë migrantë të kthyer. Në krahun tjetër, Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra shënojnë nivele më të ulëta migrimi, të lidhura me izolimin dhe varfërinë. Tirana paraqet një përqindje relativisht më të ulët, duke reflektuar mundësi më të mëdha punësimi në vend.
Profili i migrantëve ndryshon sipas destinacionit. Migrantët drejt Evropës Perëndimore, Veriore dhe SHBA-së kanë, përgjithësisht, nivele më të larta arsimimi. SHBA-të kryesojnë për përqindjen e migrantëve me arsim të lartë, ndërsa Greqia mbetet destinacioni me përqendrimin më të madh të migrantëve me arsim të ulët, duke reflektuar një ndarje të qartë sipas aftësive.
Migrimi mbetet kryesisht i dominuar nga meshkujt: rreth 75% e migrantëve aktualë janë burra. Çekuilibrat gjinorë janë më të theksuar në Mbretërinë e Bashkuar, Greqi dhe Gjermani, ndërsa vetëm te migrantët me arsim të lartë vërehet një shpërndarje më e barabartë gjinore.
Largimi ndodh kryesisht në moshë të re, me rreth 80% të migrantëve që kanë emigruar para moshës 35 vjeç. Kthimi priret të ndodhë më vonë, shpesh pas periudhave të gjata jashtë vendit, madje edhe pas daljes në pension.
Nga ana financiare, të ardhurat jashtë vendit nuk përmbushin gjithmonë pritshmëritë. Shpenzimet e larta kufizojnë kursimet, ndërsa mbi një e katërta e migrantëve të kthyer raportojnë se nuk kanë arritur të kursejnë gjatë emigrimit. Edhe remitancat vazhdojnë të dërgohen kryesisht përmes kanaleve informale, duke e lënë migrimin si një potencial ende të pashfrytëzuar për zhvillimin ekonomik të vendit.