Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e nxjerrjes së një urdhri ekzekutiv për të ndryshuar klasifikimin federal të marihuanës, duke e renditur atë si një substancë më pak të rrezikshme.
Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se administrata e tij po e analizon seriozisht këtë opsion, i cili do të përfshinte udhëzimin e agjencive federale të shëndetësisë dhe zbatimit të ligjit që ta trajtojnë marihuanën si një substancë të kategorisë Schedule III. Një vendim i tillë do të përfaqësonte një nga ndryshimet më të mëdha në politikën federale amerikane për marihuanën në dekada.
“Po e shohim shumë seriozisht,” u shpreh Trump, duke shtuar se “shumë njerëz duan ta shohin këtë ndryshim”, pasi sipas tij, riklasifikimi do të hapte rrugën për më shumë kërkime shkencore që aktualisht janë të kufizuara nga ligji.
Aktualisht, sipas Ligjit Amerikan për Substancat e Kontrolluara, marihuana renditet në kategorinë Schedule I, në të njëjtin nivel me substanca si heroina dhe ekstazia, duke u konsideruar me rrezik të lartë abuzimi dhe pa përdorim të pranuar mjekësor. Megjithatë, në shumë shtete amerikane, autoritetet lokale kanë miratuar rregulla më liberale, duke lejuar përdorimin mjekësor ose rekreativ të saj.
Një riklasifikim në Schedule III do ta afronte marihuanën me barna të zakonshme me recetë, si disa qetësues që përmbajnë kodeinë, ketamina apo testosteroni. Një hap i tillë pritet të lehtësojë barrën tatimore për industrinë e kanabisit dhe të përmirësojë aksesin në financim, pasi kufizimet federale aktualisht i mbajnë shumicën e bankave dhe investitorëve institucionalë jashtë këtij sektori.
Vetëm raportimet për një ndryshim të mundshëm kanë ndikuar në lëvizjet e tregut, duke sjellë rritje të interesit për aksionet e kompanive të lidhura me industrinë e kanabisit, ndonëse disa prej tyre pësuan edhe luhatje në ditët në vijim.
Nga ana tjetër, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar lidhur me riklasifikimin e marihuanës. Vendimi përfundimtar mbetet në kompetencën e Agjencisë Amerikane Kundër Drogës (DEA).