“Shqiponja e Zezë”: Kush është shqiptari i regjistruar si tregtar frutash në Ekuador, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 17.12.2025, 00:35

Shqiptari Përparim Billa pritet të dalë para drejtësisë më 18 dhjetor 2025, i akuzuar për përfshirje në krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar droge, si pjesë e një rrjeti kriminal me shtrirje globale.

Emri i Billës nuk është i panjohur për autoritetet ndërkombëtare. Ai u arrestua për herë të parë në vitin 2010 në kuadër të operacionit amerikan “Shqiponja e Zezë”, një nga goditjet më të mëdha të FBI-së kundër mafies shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Në atë periudhë, Billa rezultonte i regjistruar në Ekuador si tregtar frutash, por hetimet zbuluan se ai ishte pjesë e një organizate kriminale të strukturuar, me degë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Kanada, Holandë dhe SHBA.

Operacioni “Shqiponja e Zezë” çoi në padinë e 26 personave dhe arrestimin e koordinuar të 17 prej tyre në disa qytete të Nju Xhersit dhe Nju Jorkut. Objektivët kryesorë të hetimit ishin Kujtim Lika, i njohur si “Timmy”, dhe Myfit Dika, i njohur si “Mike”, të cilët u kapën vite më vonë në Toronto, Kanada.

Sipas hetimeve, rrjeti kriminal merrej me trafik droge, armësh, kontrabandë cigaresh dhe pastrim parash. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan mbi 30 mijë pilula ekstazie, sasi heroinë dhe metamfetamine, armë zjarri, si dhe dokumentuan tentativa për import të kontrolluar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike.

Përparim Billa u deklarua fajtor më 1 shtator 2009 për kontrabandë cigaresh dhe në vitin 2010 u dënua nga Gjykata e Qarkut të Nju Xhersit me 1 vit e 1 ditë burg, si dhe 2 vite lirim me kusht. Pas përfundimit të dënimit në SHBA, ai u zhvendos në Amerikën Latine.

Dokumente gjyqësore të vitit 2025 tregojnë se Billa kishte ndërtuar aktivitet biznesi në Ekuador, ku ishte regjistruar si tregtar me shumicë frutash dhe kishte hapur një kompani në kryeqytetin Quito. Po ashtu, ai rezulton i lidhur me një kompani në Emiratet e Bashkuara Arabe, përmes së cilës është realizuar një import në vitin 2020.

Autoritetet ekuadoriane dhe partnerët ndërkombëtarë e lidhin Billën me zgjerimin e mafies shqiptare në Amerikën Latine, veçanërisht pas arrestimit në maj 2025 të Dritan Gjikës, i konsideruar si një nga figurat kyçe të krimit të organizuar shqiptar në Ekuador.

Seanca dëgjimore për ngritjen zyrtare të akuzës ndaj Përparim Billës do të mbahet më 18 dhjetor 2025, në orën 14:00. Ai do të përballet me akuza për krim të organizuar dhe trafik droge, së bashku me shtetas nga Serbia dhe Ekuadori.

Dosja ku përfshihet Billa lidhet me një hetim të nisur në shtator 2025, i cili ka zbuluar një rrjet shumë-milionësh korrupsioni dhe trafik kokaine drejt vendeve të Europës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit