Ore lekët, lekët ku shkojnë?

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16.12.2025, 21:00

Në Shqipëri prej disa vitesh po shohim një panoramë që, në letër, duket si sukses i drejtësisë: ministra, ish-ministra, kryebashkiakë, drejtorë, deputetë, madje edhe zv/kryeministra nën hetim, të arrestuar, të shoqëruar, të futur e të nxjerrë nga qelitë. Emra të mëdhenj bien një nga një. Por pyetja që nuk merr përgjigje është gjithmonë e njëjta: po paratë?

Sepse arrestimi, sado i bujshëm, nuk i kthen automatikisht miliardat e dyshuara si të vjedhura. Një politikan mund të bëjë disa muaj apo disa vite burg, mund të dalë më pas “i penduar” ose “i rehabilituar”, por leket nuk dalin bashkë me të nga burgu. Ato nuk shfaqen në buxhetin e shtetit, nuk rikthehen në xhepin e qytetarit, nuk riparojnë rrugët, shkollat apo spitalet.

Dhe këtu lind problemi real. Nëse një pushtetar akuzohet për abuzime që kapin shifra marramendëse, por përfundon duke bërë pak kohë burg ndërsa pasuria mbetet diku e sigurt, në emër të familjarëve, ortakëve, kompanive offshore apo “investimeve të mençura”, atëherë mesazhi që jepet është i rrezikshëm: ia vlen.

Me këtë logjikë, kush nuk do ta pranonte “rrezikun”? Disa muaj ose vite heqje lirie, përballë një jete të garantuar me miliarda që i gëzon dikush tjetër sot dhe ti vetë nesër. Ndërkohë, populli vazhdon të paguajë taksa, të shohë shërbime që çalojnë dhe të dëgjojë lajme për arrestime që duken më shumë si spektakël sesa si drejtësi e plotë.

Drejtësia reale nuk matet me numrin e personave të arrestuar, por me rikuperimin e parave. Pa konfiskim pasurie, pa ndjekje të rrjedhës së lekut, pa kthim konkret të dëmit ekonomik, çdo arrestim mbetet gjysmak. Madje, në sytë e qytetarëve, kthehet në një farsë morale: fajtorët hyjnë e dalin nga burgu, ndërsa dëmi mbetet përgjithmonë.

Prandaj pyetja “ore lekët, lekët ku shkojnë?” nuk është thjesht populiste. Është thelbi i gjithë debatit. Sepse pa përgjigje për këtë, drejtësia duket si ndëshkim simbolik, ndërsa vjedhja reale vazhdon të fitojë. Dhe në fund, ai që mbetet gjithmonë me gisht në gojë është i njëjti: qytetari.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit