Dy shtetas shqiptarë, shoferë të një furgoni që udhëtonte nga Shqipëria drejt Italisë, janë arrestuar nga autoritetet italiane pasi u kapën duke transportuar armë automatike dhe municione të fshehura në bagazhet e mjetit.
Operacioni është zhvilluar në zonën e Monfalcones, në provincën e Triestes, pranë pikës kufitare të Sant’Andrea, gjatë një kontrolli të përforcuar nga Guardia di Finanza në bashkëpunim me Policinë Ekonomike dhe Financiare (GICO). Furgoni, me targa shqiptare, kishte hyrë në territorin italian përmes Sllovenisë, pasi më herët kishte kaluar nga pika kufitare e Hanit të Hotit.
Në mjet ndodheshin gjithsej pesë persona, të gjithë shtetas shqiptarë. Gjatë verifikimit të dokumenteve, dy drejtuesit e furgonit kanë shfaqur sjellje të dyshimta, si nervozizëm dhe tension, duke shkëmbyer vazhdimisht shikime mes tyre. Kjo ka shtyrë efektivët të kryejnë një kontroll më të imtësishëm të automjetit dhe bagazheve.
Dyshimet janë përqendruar te një valixhe me peshë të pazakontë për përmasat e saj. Pas hapjes dhe kontrollit të detajuar, policia ka zbuluar të fshehura mes strukturës së jashtme dhe shtresës së brendshme pesë armë automatike të tipit “Kallashnikov” (AK-47), si dhe pesë karikatorë me gjithsej 356 fishekë.
Armët, municionet dhe telefonat celularë të dy shoferëve janë sekuestruar, ndërsa ata janë arrestuar në flagrancë për shkelje të ligjit italian mbi kontrollin e armëve dhe armët e luftës (Ligji nr. 895/1967).
Autoritetet italiane bëjnë me dije se kanë nisur menjëherë hetime të thelluara për të zbardhur rrjetin e furnizimit dhe destinacionin përfundimtar të armëve. Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, policia shqiptare ka identifikuar dhe arrestuar në zonën e Hotit personin e dyshuar si përgjegjës për nisjen e armëve drejt Italisë.
