Zbardhet kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16.12.2025, 18:24

Është zbardhur shkresa e plotë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv/kryeministres dhe ministres Belinda Balluku.

Në dokumentin zyrtar, SPAK i kërkon Kuvendit miratimin për heqjen e lirisë së Belinda Ballukut, përmes zëvendësimit të masave aktuale të sigurimit personal, “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, me masën më të rëndë të “arrestit në burg” ose “arrestit në shtëpi”.

Kërkesa i është dërguar Kuvendit ditën e sotme, më 16 dhjetor 2025, ndërsa Këshilli i Mandateve dhe Rregullores pritet të mblidhet ditën e premte, më 19 dhjetor 2025, për të shqyrtuar çështjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut.

Sipas shkresës, kërkesa mbështetet në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenet 260, 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale, në përputhje edhe me Rregulloren e Kuvendit.

“Në kuadrin e procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, SPAK kërkon dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda Balluku, përmes zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e ‘ndalimit të daljes jashtë shtetit’ dhe ‘pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’, në masën e arrestimit në burg ose në shtëpi”, thuhet në kërkesën zyrtare.

SPAK bën me dije se, në respektim të Kodit të Procedurës Penale, shkresa shoqërohet me relacionin e arsyetuar, provat përkatëse, si dhe me urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, të datës 16 dhjetor 2025.

Vendimi përfundimtar mbi autorizimin e arrestimit pritet të merret pas shqyrtimit të kërkesës nga organet përkatëse të Kuvendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit