Një qytetar nga Kavaja i është drejtuar redaksisë sonë për të bërë një thirrje publike një të riu që e mashtroi me shitjen e një varëseje.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, dhe sipas denoncuesit, djali i veshur me rroba të zeza u paraqit në argjendari dhe kërkoi të shiste varësen që mbante në qafë, duke pretenduar se ishte flori. Në të vërtetë, varësja kishte në përbërje metal “pa vlerë” hekur ose çelik, dhe nuk ishte flori i vërtetë.
Këtë gjë argjendari e mësoi pasi pagoi 4.6 milion lekë të vjetra për të blerë këtë lloj hekuri.
Argjendari kërkoi që rasti të bëhet publik për t’i dhënë një mundësi mashtruesit që të kthejë paratë brenda 24 orëve, në të kundërt rasti do të referohet në Polici, pasi blerësi disponon dhe foto me fytyrë të personit që i shiti varësen.
“Përshëndetje, jam një qytetar nga Kavaja që kam një argjendari. Dua të bëj një denoncim, sepse dje një person më ka bërë një mashtrim në dyqan. I them të më kthejë lekët brenda 24 orëve, ose do ta denoncoj në polici. E kam me foto dhe identifikohet kollaj. Kishte shkuar dhe te disa kolegë të tjerë për t’i mashtruar,” shkruan qytetari që denoncon ngjarjen.