Një familje shqiptare me katër fëmijë, mes tyre edhe një foshnjë 20-muajëshe e sëmurë, po jeton prej më shumë se një jave në rrugë në qytetin e Montpeljesë, Francë. Çifti, i larguar nga Shqipëria, nuk ka përfituar ende strehim emergjent, pavarësisht telefonatave të përditshme në numrin 115. Familja po fle në sheshin përpara Bashkisë së Montpeljesë, në kushte të vështira dhe temperaturat e ulëta.
Të hënën në mbrëmje, shoqatat “Un toit, un avenir” dhe “Solidarité Partagée” organizuan një tubim solidariteti përpara Bashkisë, ku u mblodhën rreth 60 persona. Presidenti i shoqatës “Solidarité Partagée” deklaroi për mediat franceze se situata është e papranueshme, duke theksuar se fëmijët po sëmuren nga të ftohtit dhe se raste të tilla kanë zgjatur edhe me muaj. Sipas tij, prefektura nuk po përmbush detyrimet për strehimin emergjent të familjeve në nevojë.
Nga ana tjetër, mediat franceze raportojnë se prefektura e konsideron familjen si jo prioritet për strehim emergjent, për shkak të statusit të parregullt administrativ. Ky qëndrim mbështetet edhe nga vendimi i Gjykatës Administrative të Montpeljesë, e cila më 8 dhjetor rrëzoi kërkesën e familjes për strehim. Ndërkohë, një tubim i ri solidariteti është paralajmëruar për të dielën, më 21 dhjetor, në orën 14:00, sërish përpara Bashkisë së Montpeljesë.