Arabia Saudite ka thyer rekordin e saj për numrin më të lartë të ekzekutimeve të kryera brenda një viti, sipas një bilanci të përpiluar nga agjencia AFP. Autoritetet saudite konfirmuan se vetëm ditën e hënë u ekzekutuan tre persona të tjerë.
Sipas të dhënave, deri më tani gjatë këtij viti janë ekzekutuar gjithsej 340 persona, duke e renditur mbretërinë arabe pas Kinës dhe Iranit për nga numri i dënimeve me vdekje. Ky është viti i dytë radhazi që Arabia Saudite thyen rekordin e vet, pasi në vitin 2024 kishte ekzekutuar 338 persona.
Ministria e Brendshme saudite njoftoi se tre ekzekutimet e fundit u kryen në rajonin e Mekës, ndaj persona të dënuar për vrasje. Megjithatë, shumica dërrmuese e ekzekutimeve këtë vit lidhen me çështje droge.
Sipas përllogaritjeve të AFP, që bazohen në njoftime zyrtare, 232 nga 340 ekzekutimet e kryera që nga fillimi i vitit 2025 kanë qenë për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës. Analistët e lidhin këtë rritje të ndjeshme me “luftën kundër drogës” që autoritetet saudite nisën në vitin 2023, ndërsa shumë nga personat e arrestuar në atë periudhë po përballen tani me ekzekutimin, pas përfundimit të proceseve gjyqësore.
Arabia Saudite rifilloi ekzekutimet për krime të lidhura me drogën në fund të vitit 2022, pas një pezullimi prej rreth tre vitesh për këtë kategori veprash. Vendi konsiderohet gjithashtu një nga tregjet më të mëdha për captagonin, një stimulant i paligjshëm që sipas OKB-së kishte qenë eksporti kryesor i Sirisë gjatë regjimit të Bashar al-Assad, i rrëzuar vitin e kaluar.
Që nga shpallja e luftës kundër drogës, autoritetet kanë shtuar ndjeshëm kontrollet policore në rrugë dhe pika kufitare, duke sekuestruar miliona pilula dhe arrestuar dhjetëra trafikantë. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, një pjesë e madhe e personave të ekzekutuar janë shtetas të huaj, duke qenë se Arabia Saudite mbështetet prej dekadash në punëtorë migrantë për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Mbretëria përballet prej vitesh me kritika të vazhdueshme për përdorimin e dënimit me vdekje. Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e konsiderojnë këtë praktikë si disproporcionale dhe në kundërshtim me përpjekjet e vendit për të ndërtuar një imazh modern dhe të hapur.
Autoritetet saudite, nga ana tjetër, argumentojnë se dënimi me vdekje është i domosdoshëm për ruajtjen e rendit publik dhe se aplikohet vetëm pasi janë shteruar të gjitha mundësitë ligjore të apelimit.
Sipas Amnesty International, Arabia Saudite ka qenë vendi i tretë në botë për nga numri i ekzekutimeve në vitet 2022, 2023 dhe 2024, pas Kinës dhe Iranit.