Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të zv/kryeministres Belinda Balluku po lexohet nga analistë dhe qarqe politike si një tjetër rast ku PS dhe PD shfaqen të ndara në publik, por të bashkuara "pas perdeve" në vendime kyçe.
Në fokus të debatit është gjyqtarja kushtetuese Sonila Bejtja, një nga votat që siguroi shumicën në këtë çështje. Bejtja është bashkëshortja e gazetarit Andi Bejtja, i punësuar në SYRI TV, televizion i afërt dhe i identifikuar hapur me Partinë Demokratike. Ky fakt ka shtuar dyshimet për një ndërthurje politike PS–PD përmes institucioneve dhe mediave.
Burime politike pretendojnë se, pas votës pro Ballukut, po qarkullojnë skenarë për një shpërblim institucional, konkretisht emërimin e Sonila Bejtjes si Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pas përfundimit të mandatit të saj në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse zyrtarisht nuk ka asnjë konfirmim, këto spekulime po ushqejnë narrativën e pazareve të heshtura mes palëve të mëdha.
Dyshimet për bashkëpunim përforcohen edhe nga dështimi i qëllimshëm i procesit në Kuvend për zgjedhjen e Komisionerit kundër Diskriminimit. Nga 15 kandidatë, asnjë nuk arriti të sigurojë 28 firmat e nevojshme, pasi deputetë si të PS-së ashtu edhe të PD-së nuk mbështetën askënd, duke bllokuar procesin.
Vetë Sonila Bejtja kishte qenë kandidate në këtë garë, por u tërhoq, me arsyetimin e papajtueshmërisë kohore mes mandatit në Kushtetuese dhe procedurës parlamentare. Sot, kjo tërheqje po interpretohet si lëvizje taktike, në një kontekst ku PD dhe PS akuzojnë njëra-tjetrën ditën, por koordinohen në vendime strategjike natën.
Analistët e përshkruajnë situatën si një “bashkëjetesë pushteti” PS–PD, ku interesat personale dhe institucionale mbizotërojnë mbi ndarjet ideologjike, ndërsa qytetarët mbeten jashtë çdo llogarie.