Kryqëzimi i Cërrikut, “ferr” për trafikun: Zjarrfikësja mbetet e bllokuar në rrugë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.12.2025, 14:49

Kryqëzimi i Cërrikut vijon të mbetet një nga pikat më problematike të qarkullimit rrugor në Elbasan, ku çdo ditë krijohen radhë të gjata automjetesh ku nuk mungojnë as aksidentet. Në këtë zonë, semaforët nuk funksionojnë, ndërsa policia rrugore e ka të pamundur të menaxhojë fluksin e lartë të mjeteve, duke e lënë situatën në dorë të vetë drejtuesve të automjeteve.

Ditën e sotme një automjet zjarrfikëse ka mbetur e bllokuar në trafik për disa minuta dhe vetë punonjësi i zjarrfikëses është detyruar të zbresë për të menaxhuar trafikun dhe drejtimin e mjeteve.

Ky kryqëzim, i konsideruar prej qytetarëve si një “ferr” për trafikun, ndodhet në unazën jugore të Elbasanit dhe përbën një nyje kyçe të qarkullimit. Aty ndërthuret trafiku i automjeteve që lëvizin në aksin kombëtar Lindje–Perëndim me mjetet që vijnë nga disa qytete të Shqipërisë Qendrore drejt Elbasanit dhe anasjelltas.

Vetë shoferët shprehen se kalimi në këtë kryqëzim është një stres i vazhdueshëm dhe një rrezik real për sigurinë e tyre. Prej vitesh është kërkuar ndërtimi i një mbikalimi ose nënkalimi, si dhe instalimi i një sistemi modern semaforësh për të zgjidhur problemin, por pavarësisht këtyre kërkesave të përsëritura, situata mbetet e pandryshuar dhe kaosi vazhdon.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit