Një incident i dhunshëm tronditi pazarin e Komotinit të shtunën pasdite, ndërsa klientët po bënin pazar. Sipas mediave të huaja, pesë burra dyshohen se sulmuan tre persona dy gra dhe një burrë për motive që mbeten ende të paqarta. Njëri nga sulmuesit përdori një objekt të mprehtë, duke plagosur një nga gratë në fytyrë.
Policia greke arrestoi menjëherë një nga autorët, ndërsa katër të tjerët u arratisën nga vendngjarja. Për ta, është ngritur një çështje penale që përfshin shkaktim të lëndimeve trupore dhe shkelje të ligjit për armët. Një nga sulmuesit dyshohet se hodhi gjithashtu një substancë mbi njërën prej viktimave.
Autoritetet bëjnë me dije se çështja tashmë është dërguar në gjykatë, ndërsa hetimet për motivet dhe identitetin e autorëve të tjerë vazhdojnë. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim tek qytetarët dhe ka ngritur pyetje mbi sigurinë në zonat publike.