Dy video thuajse identike, që shfaqin ambientet e rinovuara të Shërbimit të Kimioterapisë në Spitalin Onkologjik të Tiranës, janë publikuar paralelisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga biznesmeni Samir Mane. Të dyja palët promovojnë të njëjtin investim: poltronat e reja për pacientët që i nënshtrohen trajtimit kimioterapeutik. Ajo që ndryshon, megjithatë, është mënyra se si paraqitet autorësia e këtij investimi, kush e financoi këtë ndërhyrje .
Dy ditë më parë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi një vizitë në ambientet e Shërbimit të Kimioterapisë, duke prezantuar tre salla të reja trajtimi, të cilat ofrojnë shërbim për rreth 100 pacientë në ditë. Në komunikimin publik, ndërhyrja u promovua si pjesë e “transformimit të Onkologjikut”.
Sot, Kryeministri Edi Rama shpërndau një video nga i njëjti ambient, duke e shoqëruar me një mesazh në rrjetet sociale ku theksonte se transformimi i Spitalit Onkologjik po vijon “nën kujdesin e ministres së shëndetësisë”, flasim për të njejtën minstre e cila i linte pacientët të shtrirë në koridoret e spitalit pa shërbim dhe pa ilaçe.
Në fakt, investimi konkret për poltronat e reja nuk është realizuar nga buxheti i shtetit. Sipas informacioneve të disponueshme, financimi është kryer nga Fondacioni Mane, i themeluar nga biznesmeni Samir Mane, i cili ka dhuruar 30 poltrona për Shërbimin e Kimioterapisë.
Kjo u konfirmua një ditë më pas, kur vetë Samir Mane vizitoi ambientet e rehabilituara dhe publikoi të njëjtën video në rrjetet e tij sociale, duke theksuar qartë kontributin e fondacionit të tij në përmirësimin e kushteve për pacientët onkologjikë, të cilët prej vitesh trajtohen në kushte çnjerëzore.