Durim Bami, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, pritet të ekstradohet nga Dubai në Tiranë, pasi ka humbur gjyqin për qëndrimin e tij si rezident. Burime të sigurta konfirmojnë se gjykata e Dubait ka dhënë vendimin final, duke i hapur rrugë nisjes së procedurave të ekstradimit. Mbërritja e tij në Shqipëri shihet si një sukses për SPAK, i cili shpreson në bashkëpunimin e 46-vjeçarit me autoritetet.
Durim Bami, i njohur edhe si “i forti” i Niklës, akuzohet nga SPAK për disa vepra të rënda penale, përfshirë “Sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit Arben Ndoka, si dhe për përfshirje në vrasjet e Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Ai përballet gjithashtu me akuzën e “Kultivimit të lëndëve narkotike” në bashkëpunim, ndërsa çështja penale ndaj tij është dërguar tashmë për gjykim.
Bami u arrestua për herë të dytë në Dubai më 21 tetor 2024, pasi nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për paraqitje, duke shkelur kushtet e lirimit të mëparshëm. Arrestimi i parë kishte ndodhur në qershor 2024, pas një urdhër-arresti të SPAK, por ai ishte liruar me kusht. Pretendimet e tij se nuk kishte parë njoftimet me e-mail nuk u morën parasysh nga autoritetet, dhe tashmë humbja e procesit gjyqësor në Dubai e çon drejt ekstradimit në Shqipëri, ku rrezikon një dënim deri në 20 vite burg.