Gjykata e Vlorës ka konfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Orest Çorapajn dhe Julian Zogajn, ndërsa ka lënë në arrest shtëpie Vilson Agajn, të arrestuar më 12 dhjetor si të dyshuar për pengmarrjen e Fisnik Xhakës, shtetas nga Kosova. Sipas policisë, ngjarja lidhet me një borxh të pashlyer, ndërsa 39-vjeçari dyshohet se është mbajtur peng për rreth dy javë në një banesë në lagjen “Osman Haxhiu” në Vlorë.
Më 13 dhjetor, Report Tv publikoi pamje filmike dhe fotografi ku shfaqet i riu nga Kosova së bashku me personat e arrestuar, duke drekuar dhe duke u sjellë qetësisht. Sipas avokatëve mbrojtës, këto pamje tregojnë se personat njiheshin mes tyre dhe se nuk bëhet fjalë për një situatë pengmarrjeje, por për një keqinterpretim të ngjarjes.
Mbrojtja pretendon se i riu ka ardhur në Vlorë me valixhe dhe sende personale për të qëndruar për një periudhë kohe, ndërsa denoncimi për pengmarrje është bërë nga motra e tij, e cila jeton në Suedi. Avokatët theksojnë se ai u kërkonte para familjarëve për të shlyer një borxh për të cilin kishte dalë garant, ndërsa fakti që në banesë është gjetur valixhja me rrobat e tij, sipas tyre, mbështet versionin se nuk ka pasur pengmarrje.