Një 19-vjeçar është arrestuar në Shkodër për djegien e dy automjeteve të parkuara në lagjen “Iliria”, ngjarje e ndodhur më 9 dhjetor 2025. I riu është identifikuar si Klavdo Macaj, ndërsa është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një 16-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje.
Gjatë kontrollit në banesën e 19-vjeçarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri mitraloz i lehtë, municion luftarak, një sasi lënde narkotike kanabis si dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur gjatë vendosjes së zjarrit në automjete.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet u kryen në kuadër të operacionit policor të koduar “Traces”, i cili çoi në zbardhjen e djegies së qëllimshme të dy makinave në pronësi të shtetasve Z. K. dhe A. D. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijon.