Një incident shqetësues ka ndodhur pak minuta më parë në zonën e Selvisë në Tiranë, ku një shtyllë elektrike është përfshirë nga flakët si pasojë e një shkëndije elektrike, duke krijuar rrezik serioz për qytetarët që kalonin pranë saj.
Sipas raportimeve dhe pamjeve të mbërritura në redaksinë tonë, nga shtylla janë regjistruar flakë dhe shpërthime të herëpashershme, ndërsa ajo ndodhet në cep të rrugës, në një zonë me qarkullim të lartë këmbësorësh dhe automjetesh.
Qytetarët shprehen të shqetësuar, duke theksuar se situata ka zgjatur për disa minuta pa asnjë ndërhyrje nga shërbimet e emergjencës. “Ka marrë flakë një shtyllë këtu te Selvia, ka shpërthime dhe nuk vjen asnjë zjarrfikës. Ka mbi 20 minuta dhe rreziku është i madh për njerëzit që kalojnë,” shkruan një qytetar në mesazhin e tij.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur pranë zonës së Medresesë, ku kalimi i qytetarëve është i shpeshtë, ndërsa banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje urgjente nga autoritetet përkatëse, për të shmangur ndonjë incident me pasoja më të rënda.
Pranë redaksisë kanë mbërritur disa video që tregojnë momentin e përfshirjes së shtyllës nga flakët dhe shpërthimet e shkaktuara nga shkëndijat elektrike.