Morën peng dhe dhunuan një 32-vjeçar, Gjykata e Korçës liron nga burgu vëllain e deputetit të PD dhe ‘miqtë’ e tij

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 14.12.2025, 17:51

Gjykata ka lënë të lirë nga qelia, duke i kaluar në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Altin Nallbatin, vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, si edhe dy shtetasit e tjerë Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, të cilët kishin rreth 40 ditë në qeli në burgun e Drenovës.

Vendimi është marrë gjatë seancës gjyqësore, ku trupa gjykuese vlerësoi se janë kryer veprimet kryesore hetimore dhe është siguruar një pjesë e konsiderueshme e provave nga ana e Prokurorisë, çka solli ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Tre personat dyshohen se janë të përfshirë në rrëmbimin dhe dhunimin e 32-vjeçarit Ilir Topçiu, një ngjarje e ndodhur më shumë se një muaj më parë në qytetin e Bilishtit. Sipas hetimeve, Topçiu dyshohet se është marrë me forcë dhe është dërguar në një ambient magazinimi në pronësi të njërit prej të arrestuarve, ku është mbajtur peng për disa orë dhe është dhunuar.

Rasti në fjalë shkaktoi reagime të forta në opinionin publik dhe pati pasoja edhe në radhët e Policisë së Shtetit. Vetëm një ditë pas ngjarjes, u shkarkua drejtori i Policisë së Qarkut Korçë, Erion Ahmeti, si dhe u pezullua nga detyra zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Hajri Kushe.

Nga ana ligjore, Alti Nallbati dhe Trajan Çeliku akuzohen për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “kanosjes”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa Marsel Buçi përballet edhe me akuzën shtesë të “plagosjes së lehtë me dashje”.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, pas kallëzimit të bërë nga vetë Ilir Topçiu pranë autoriteteve policore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit