Një lajm me përmasa të mëdha po qarkullon së fundmi në mediat spanjolle dhe ato të Lindjes së Mesme, ku raportohet se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, po shqyrton mundësinë e blerjes së një pjese të klubit të Barcelonës.
Sipas Francois Gallardo, analist i njohur i emisionit “El Chiringuito”, princi saudit do të ishte i gatshëm të paraqiste një ofertë marramendëse që arrin vlerën e 10 miliardë eurove për klubin katalanas. Një lëvizje e tillë përputhet plotësisht me strategjinë e Arabisë Saudite për të zgjeruar ndikimin e saj global në sport, përmes investimeve direkte ose përmes Fondit Publik të Investimeve (PIF).
Gallardo thekson se Barcelona aktualisht përballet me një borxh që tejkalon 2.5 miliardë euro, një barrë financiare jashtëzakonisht e vështirë për t’u menaxhuar. Në këtë kontekst, oferta prej 10 miliardë eurosh nga Princi i Kurorës do t’i siguronte atij, të paktën teorikisht, kontroll të plotë mbi klubin.
Megjithatë, një marrëveshje e tillë konsiderohet praktikisht e pamundur, të paktën për klube si Barcelona dhe Real Madridi, të cilat funksionojnë mbi bazën e pronësisë kolektive. Barcelona është në pronësi të anëtarëve të saj dhe është e vështirë të imagjinohet se ata do të pranonin shitjen e klubit ndaj një entiteti të huaj, një fakt që Gallardo e nënvizon qartë.
Edhe pse, nga pikëpamja teknike, Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite mund të investojë te Barcelona në rast se klubi ndan sektorin e argëtimit nga ai sportiv, një investim i tillë nuk do t’i jepte PIF-it kontroll mbi menaxhimin e përditshëm sportiv të klubit.
Një qasje e ngjashme thuhet se po shqyrtohet edhe nga Real Madridi, me presidentin Florentino Pérez që shfaqet i hapur ndaj ndarjes së sektorit të argëtimit nga ai futbollistik, duke lejuar investitorë të jashtëm të përfshihen vetëm në komponentin e parë të projektit.
Në këtë mënyrë, kjo mbetet pothuajse e vetmja rrugë përmes së cilës PIF mund të investojë edhe te Barcelona. Përtej këtij skenari, duket thuajse e paimagjinueshme që klubi katalanas të blihet plotësisht nga një entitet i huaj, e aq më pak nga Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite.