Policia italiane ka arrestuar në Piacenza një shtetas shqiptar 22-vjeçar, i cili ndodhej ilegalisht në Itali dhe dyshohet se ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike. I riu u kap në flagrancë në zonën e Via Ottolenghi, teksa po shiste kokainë, pas një vëzhgimi të kryer nga efektivë civilë që konstatuan një shkëmbim të dyshimtë me një grua italiane.
Gjatë kontrollit personal, autoritetet i gjetën 27 doza kokaine me peshë rreth 12 gramë, si dhe rreth 300 euro cash, që dyshohet se janë përfitime nga aktiviteti i paligjshëm. Hetimet u zgjeruan më pas në një bodrum të përdorur prej tij, ku u zbuluan pajisje për peshimin dhe paketimin e drogës, të cilat shërbenin për përgatitjen dhe ruajtjen e dozave për shitje.
Të gjitha lëndët narkotike dhe materialet e sekuestruara janë vënë nën administrimin e policisë. I arrestuari u dërgua në burgun e Piacenzës në pritje të një procedure gjyqësore të përshpejtuar, ndërsa shtetasi italian që kishte vënë në dispozicion ambientin po hetohet në gjendje të lirë. Pas përfundimit të gjykimit, pritet që i riu shqiptar të dëbohet nga Italia.