Goditet rrjeti shqiptar i drogës në Itali, 5 të arrestuar dhe një në kërkim

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.12.2025, 14:02

Policia italiane ka goditur një rrjet shqipfolës të trafikut të drogës në Siçili dhe zonat përreth, duke arrestuar pesë shtetas shqiptarë dhe duke shpallur në kërkim një tjetër. Gjatë operacionit të zhvilluar gjatë fundjavës, autoritetet sekuestruan mbi dy kilogramë kokainë me pastërti të lartë, ndërsa aksioni u mbështet nga njësi speciale, përfshirë qen antidrogë dhe helikopterë.

Sipas hetimeve, grupi vepronte kryesisht në provincat Teramo dhe Ascoli Piceno, duke shtrirë aktivitetin edhe në zona të tjera të Luginës Vibrata. Trafikantët dyshohet se përdornin rrjetet sociale për të organizuar shpërndarjen e lëndëve narkotike, ndërsa një metodë e pazakontë ishte fshehja e kokainës në toka rurale, ku ajo varrosej dhe merrej vetëm në momentin e porosisë për t’u ndarë në doza të vogla.

Operacioni është pjesë e një hetimi më të gjerë që lidhet me një ngjarje të rëndë kriminale në nëntor 2024, ku një nënoficer i karabinierëve u sulmua gjatë një tentative grabitjeje. Hetimet e mëvonshme zbuluan lidhje mes këtij episodi dhe aktivitetit të trafikut të drogës, duke çuar në arrestime të reja dhe në dërgimin e të ndaluarve në burgun e Teramos, në pritje të veprimeve të mëtejshme ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit