Mashtrimi ndaj konsumatorit vazhdon të jetë një problem serioz në tregun shqiptar, duke u shfaqur edhe në produkte të përditshme që konsumohen gjerësisht. Një rast shqetësues është konstatuar gjatë blerjes së një pakoje patatinash, ku çmimi i produktit ishte 100 lekë, njësoj si produkte të tjera të së njëjtës kategori.
Duke iu referuar përshkrimit në paketim, produkti krijonte përshtypjen se kishte një gramaturë prej 100 gramësh, gjë që ndikoi drejtpërdrejt në vendimin e blerjes. Megjithatë, pas verifikimit në peshore, u konstatua se pesha reale e produktit ishte vetëm 75 gramë, duke treguar një mospërputhje të qartë mes asaj që nënkuptohet në paketim dhe realitetit.
Kjo praktikë përbën një formë mashtrimi të hapur, pasi shumica e blerësve nuk kanë mundësi apo kohë të kontrollojnë gramaturën e produkteve që blejnë. Informacioni i paqartë ose i keqinterpretuar në paketim shfrytëzon mungesën e vëmendjes së konsumatorëve dhe dëmton besimin ndaj tregut.
Denoncimi i qytetarit:
Të lutem, shkova për të blerë një pako patatina dhe pashë që çmimi dhe për Lays ishte 100 lekë dhe për Chips 100 lekë, lexova gramaturat dhe mendova të blej Chips sepse shkruante me përshkrime sikur është 100 gr, por e vendosa në peshore dhe doli që ishte 75 gr kështuqë është vjedhje hapur prandaj, mendoj se jo të gjithëve ju intereson gramatura e produktit që konsumon, ju lutem bëjeni publike.